Kodheli inspekton stërvitjen “Vlora SAREX 2015” - Video
PUBLISHED:  Apr 21, 2015
DESCRIPTION:
Website: https://www.mbrojtja.gov.al
Facebook: https://www.facebook.com/MinistriaMbrojtjes
Twitter: https://twitter.com/MinMbrojtjes
Instagram: http://instagram.com/mbrojtja.gov.al
-----------------------------------------------------
Është zhvilluar sot në Gjirin e Vlorës stërvitja “Vlora SAREX 2015”. Kjo stërvitje u ndoq nga afër nga ministrja e Mbrojtjes, znj. Mimi Kodheli, shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA, gjeneralmajor Jeronim Bazo, komandanti i Forcës Detare, gjeneral brigade Qemal Shkurti, si dhe nga përfaqësues të lartë të pushtetit vendor të Vlorës dhe Orikumit, të Policisë Kufitare, të Delta Forcës në Vlorë, të Shkollës së Trupës në Bunavi etj. Qëllimi i stërvitjes ishte arritja e bashkëpunimit ndërinstitucional për zhvillimin e operacioneve të kërkim - shpëtimit (SAR), si dhe zbatimit të ligjshmërisë në det.
Ministrja Kodheli dhe autoritetet që e shoqëronin e ndoqën stërvitjen duke qëndruar në pikën dominuese në ish - distriktin detar, te Kalaja, Uji i Ftohtë. Paraprakisht, komandanti i Flotiljes Detare të Vlorës, kapiten i rangut I Subi Zenelaj, dha një informacion të shkurtër rreth stërvitjes, qëllimin dhe objektivat e saj, forcat dhe mjetet pjesëmarrëse etj.
Ministrja e Mbrojtjes Kodheli vlerësoi stërvitjen si një arritje tjetër të Forcës sonë Detare, në bashkëpunim edhe me struktura të tjera përgjegjëse për vëzhgimin dhe sigurinë e ujërave tona detare. Forcat e Armatosura, nënvizoi znj. Kodheli, janë në dispozicion të qytetarëve dhe u shërbejnë atyre. Më tej, ministrja Kodheli, theksoi se, kjo stërvitje është shumë e rëndësishme edhe për faktin se ajo është një stërvitje e kombinuar ndërinstitucionale, çka shpreh atë se të gjithë jemi përgjegjës për sigurinë e jetës së qytetarëve. Forca Detare ka mision të saj edhe Rojen Bregdetare dhe kjo është një stërvitje e cila i shërben më së miri këtij misioni, u shpreh ministrja e Mbrojtjes Kodheli.
Stërvitja “Vlora SAREX 2015” është një stërvitje ndërinstitucionale që zhvillohet në kuadër të zbatimit të ligjshmërisë në det. Struktura përgjegjëse dhe drejtuese e stërvitjes ishte Komanda e Forcës Detare. Objektivat kryesore të saj ishin: trajnimi i efektivave lundruese të Flotiljes Detare mbi veprimet që merr anija për reagimin ndaj ngjarjeve dhe situatave në det (SAR, Zbatimi i Ligjshmërisë, etj.) sipas rajonit që mbulon; koordinimi dhe bashkëveprimi i veprimeve me Forcën Ajrore (Baza e Helikopterëve në Farkë) në rast situate; koordinimi dhe bashkërendimi me agjencitë e tjera që kanë interesa në det.
Në këtë stërvitje morën pjesë: 3 anije nga Forca Detare, 2 mjete nga Policia Kufitare, 1 mjet nga Delta Forcë, si dhe 2 helikopterë nga Forca Ajrore.
Gjatë stërvitjes “Vlora SAREX 2015” u zhvilluan dhe u përpunuan disa skenarë si: zbatimi i veprimeve për zbatimin e ligjshmërisë ndaj një mjeti detar që kryen veprimtari të kundërligjshme, bllokimi dhe ankorimi i tij në portin e Vlorës për të kryer procedurat e duhura ligjore; zbatimi i veprimeve për zbatimin e ligjshmërisë ndaj një anije tregtare ekuipazhi i së cilës nuk tregohet bashkëpunues dhe hap zjarr ndaj mjeteve tona; zbatimi i veprimeve dhe reagimi ndaj një situate kërkim - shpëtimi (SAR), me pjesëmarrjen e të gjitha mjeteve dhe një helikopteri; zbatimi i veprimeve në rast të dhënies së ndihmës një anijeje në avari dhe zjarr në bord, evakuimi i personelit të anijes me anë të helikopterit dhe vënia nën kontroll e zjarrit për të parandaluar një katastrofë detare.
follow us on Twitter      Contact      Privacy Policy      Terms of Service
Copyright © BANDMINE // All Right Reserved
Return to top